Harmony Collection

Storia

Kemi krijuar koleksionin “Harmony”, të inspiruara nga motivet e lashta tradicionale shqiptare.

Shqiptarët, që nga lashtësia, kanë zhvilluar dhe kultivuar traditën e punimit me dorë të shtrojeve. Dhoma shqiptare e pritjes është paraqitur si një ekspozitë e vogël e artit popullor. Kombinimi i elementeve, kombinimi i ngjyrave, figura të përbashkëta apo të ndara, të gjitha këto, janë ndërthurje e artit të shqiptarëve ndër shekuj. Gruaja luan rol kyç ne jetësimin e këtyre punimeve. Çdo shtrojë e mbijetuar, është punuar nga duart e gruas. Shpeshherë ndjenjat, emocionet dhe kreativiteti i saj janë gërshetuar në figurat dhe motivet që janë përdorur në shtroja. 

Jemi rritur në një frymë të përbashkët, ku dashuria ndaj kulturës sonë vetëm se është shtuar.Që prej fëmijë, mbajmë mend shtëpinë tonë të gjallëruar me ngjyra, forma, figura e stolisje të ndryshme.

Të inspiruar çdo ditë e më shumë nga këto simbole, kemi dashur që këto forma të vjetra, t’i jetësojmë sërish, në një formë dhe dimension ndryshe. Koleksioni “Harmonia” shfaqet përmes minimalizmit dhe thjeshtësisë. Nëse i analizojmë më afër shtrojet e vjetra të kulturës, vërejmë shumë simbole, shumë figura të përbashkëta apo të ndara, që në shumë raste nuk na lejojnë të fokusohemi direkt vetëm në një simbol, për shkak të larmisë dhe përsëritjes. Me koleksionin tonë, kemi dashur që këto simbole të zmadhohen në formë, të jenë në qendër të vëmendjes dhe të mund ta shijojmë më shumë bukurinë e tyre.

“Vallëzo me mua”, “Më mbaj”, “Më buzëqesh”, “Më përqafo”, “Qëndro afër meje”, “Ec me mua”, “Më duaj”. Secili tepih na përcjell një mesazh. Të vazhdojmë të jetojmë me harmoninë që të parët tanë kanë jetuar. Të krijojmë kujtime të bukura. Ta duam njëri-tjetrin!